Ja si shprehen Eirik Horneland trajneri i Rosenborgut dhe Nenad Bjelica trajner i GNK Dinamo për duelin e sotëm

Sport

Eirik Horneland (trajneri i Rosenborgut)
“Nuk na lejohet të pësojmë më gola, sidomos në fushën tonë, pavarësisht se në 4 ndeshjet e fundit kemi pasur gjithmonë probleme në këtë pjesë. Gjithsesi e dimë se duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë përpara publikut tonë. Ndërsa jemi të vetëdijshëm edhe për forcën e Dinamos së Zagrebit. Nëse do të vazhdojnë të jenë në nivelin e ndeshjes së parë, atëherë do ta kemi tepër të vështirë. Ata janë një skuadër e fortë me mjaft eksperiencë ndërkombëtare dhe lojtarë cilësorë. Ne nuk do të kemi shumë ndryshime nga takimi i parë. Do të përpiqemi të ruajmë të njëjtat gjëra, me një cilësi disi më të lartë. Gjithsesi do të luajmë shanset tona të kualifikimit, pasi i kemi ende mundësitë megjithëse e nisim nga disavantazhi prej 2 golash. Përpara ndeshjes së parë, sa i takon mundësive mbi skuadrën që do të kualifikohet bëra një parashikim 60-40 në favor të Dinamos së Zagrebit. Si optimist që jam vazhdoj të mbetem në ato kuota. Pavarësisht se kundërshtarët tanë mund të mendojnë se tashmë janë shumë më tepër të favorizuar prej rezultatit të fiksuar në Zagreb”.


Nenad Bjelica (trajner i GNK Dinamo)
“Dua që skuadra ime të përqendrohet tek ajo që ka si detyrë për të bërë në fushën e lojës. Natyrisht që do të nevojitet si gjithmonë shumë zemër, shpirt luftarak dhe përkushtim nga ana e të gjithëve. Kalimi në fazën e grupeve të Champions League nuk do të ishte dicka e re për neve, por thjesht një objektiv për t’u realizuar në këtë fillim të sezonit. Nuk ka përse të shndërrohet aspak në një obsesion për skuadrën time. Thjesht duhet të luajmë edhe këto 90 minuta të ndeshjes së kthimit, për ta merituar kualifikimin për në sallonin më të rëndësishëm të futbollit evropian. Jam i sigurtë që lojtarët e mi mund t’u përgjigjen kundërshtarëve tanë si duhet, çfarëdo mënyre loje që mund të aplikojnë ata. Nga ana tjetër ka shumë rëndësi fakti që nuk kemi pësuar gol në fushën tonë. Edhe kur e pësuam në ndeshjen e turit të mëparshëm ndaj Ferencvaroshit mund të them se u shfaqëm shumë më mirë në takimin e kthimit, duke bërë detyrën për të vazhduar më tej. Besoj se do të arrijmë të tregojmë në fushë se jemi një skuadër më e mirë sesa Rosenborgu”.