Kartoni i kuq i marrë në finalen e Superkupës së Spanjës, nuk i ka kushtuar shumë rëndë Lionel Messit. Disiplina në Federatën Spanjolle të Futbollit e ka pezulluar Messin me vetëm 2 ndeshje nga futbolli I luajtur. Në fundin e takimit, kapiteni i Barcelolnës e ka humbur kontrollin, duke kryer një gjest antisportiv ndaj kundërshtarit në aksion e sipër.
Më pas, kryesori i ndeshjes, duke e verifikuar këtë moment në VAR, ka nxjerrë menjëherë kartonin e kuq për 33 vjeçarin, që ishte i pari për të me fanellën e Barcelonës në 753 ndeshje të luajtura. Argjentinasi nuk do jetë i gatshëm për skuadrën e tij në dy takimet e radhës, fillimisht ndaj Cornellas në Kupën e Mbretit dhe më pas në transfertën e Elches, ndeshje e vlefshme për kampionat.
6 herë fituesi i Topit të Artë do rikthehet në fushë në 31 Janar, atëherë kur Barcelona pret në shtëpi Athletic Bilbaon, në duelin e kampionatit. Mirëpo gjigantët katalanas nuk preferojnë të rrinë duarkryq në këtë situatë, duke mos qenë aspak dakord me vendimin e Disiplinës dhe si pasojë do e apelojnë menjëherë këtë vendim, me shpresën se Messit mund t’i hiqet dënimi prej 2 ndeshjesh.