Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur të ndërpresë aktivitetin e saj pas problemeve me shtetin.
Futbolli në Spanjë është në kaos. Federata Spanjolle e Futbollit shpalli një grevë me kohë të papërcaktuar në të gjitha ligat.
Duke nisur që nga 16 maji skuadrat nuk do të zbresin në fushë për dy javët e fundit të La Ligas si dhe për finalen e Kupës së Mbretit, që duhet të luhet në 30 maj, mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos.
Në këtë mënyrë Federata ka dhënë një mesazh të fortë kundër qeverisë në Madrid dhe në veçanti kundër dekretit mbi shpërndarjen e të drejtave televizive që u aprovua nga Këshilli i Ministrave 30 prillin e kaluar.
Ndasitë kanë të bëjnë me reformën e centralizimit të të drejtave televizive. Nga njëra anë është Federata Spanjolle, e mbështetur nga shoqatat e lojtarëve, gjyqtarëve dhe trajnerët që kanë vendosur ta kundërshtojnë dhe nga njëra ana Liga Spanjolle e Futbollit dhe klubet që kanë mbështetur aprovimin e propozimit të qeverisë spanjolle.
Federata Spanjolle akuzon se paratë e futbollit në këtë mënyrë përdoren për politika sportive që disa herë s’kanë të bëjnë fare me futbollin.
Në ditët e ardhshme Presidenti i Federatës, Angel Maria Villar, do të takohet me Ministrin e Sportit, Jose Ignacio Wert që të bllokojë dekretin.
Megjithatë, ekziston frika që pozicionet të mbeten të njëjta pasi marrëveshja duhet gjetur brenda 10 ditëve dhe në rast të kundërt ekziston mundësia që La Liga të përfundoj para kohe për këtë sezon.