N’Golo Kante mbetet një nga lojtarët më të vlerësuar të Chelseat dhe të gjithë Premier League-ës, me mesfushorin francez që ka bërë për vete tifozët edhe me thjeshtësinë e tij të të luajturit. Kampioni i botës me Francën është përfolur disa herë për një largim të mundshëm nga Chelsea, por siç raportohet së fundmi, 27-vjeçari do të largohej nga ‘blutë’ e Londrës vetëm nëse do të kishte oferta nga Real Madrid ose Barcelona. Ai iu bashkua Chelsea-t nga Leicester verën e 2016 dhe që atëherë është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm.
Sipas francezes “Le10Sport”, Kante për momentin nuk e sheh si mundësi largimin nga kryeqyteti anglez, por një ofertë e ardhur nga dy gjigandët spanjollë mund të merrej në konsideratë prej tij. Gjithashtu, Paris Saint Germain dhe Juventus kanë qenë të interesuara për francezin gjatë muajve të fundit, por mediat franceze thonë se Kante i ka kthyer një përgjigjje negative kampionëve të Francës. Kontrata aktuale e Kante me Chelsea-n përfundon në verën e vitit 2021, ndërkohë që vlera e kartonit të tij llogaritet të jetë rreth 80 milionë euro.