Përfaqësueses së Kosovës priten ti bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë, pas Milot Rashicës, Alban Mehës dhe Herolind Shalës.
Bëhet fjalë për mesfushorin Valdet Rama dhe sulmuesin Besart Berisha.
Pasi i dha fund karrierës te Munchen 1860, Rama tashmë zgjedh të përfaqësojë Kosovën. Për herë të fundit, mesfushori 28-vjeçar ishte i grumbulluar me kuqezinjtë për sfidën e 15 Qershorit 2015, në fitoren 1-0 të Shqipërisë ndaj Francës, miqësore në të cilën u aktivizua në minutën e 56-të si zëvendësues i Ermir Lenjanit.
Në radhët e Kosovës do të aktivizohet edhe Besart Berisha, sulmuesi që me golat e tij ka çmendur Australinë, ku është shpallur edhe tre herë golashënuesi më i mirë në A-League. 31-vjeçari nga Prishtina ka pranuar të përfaqësojë vendlindjen, pasi mbeti jashtë finaleve të Kampionatit Evropian.