Marrëveshja ishte arritur prej disa javësh, por vetëm tani, klubi i Albacetes zyrtarizoi blerjen përfundimtare të kartonit të Rei Manajt nga Interi. Në bazë të akordit midis palëve, spanjollët duhej të ushtronin gjatë kësaj vere të drejtën e blerjes përfundimtare. Dhe drejtuesit e Albacete janë bindur për të bërë një gjë të tillë, pasi kishin arritur akordin me futbollistin për një kontratë 5-vjeçare, periudhë në të cilën shpresojnë të arrijnë të ngjiten edhe në La Liga.
“Albacete ka ekzekutuar në orët e fundit të drejtën e blerjes që kishte për Rei Manajn. Në këtë mënyrë, sulmuesi shqiptar kalon të jetë në pronësi të klubit tonë, duke mos i përkitur më Interit. Sulmuesi ynë dhe Albacete janë të lidhur në rrugëtimin e tyre deri në vitin 2024, duke vazhduar të shkruajë një histori që filloi në verën e kaluar në mënyrë brilante. Rei mori pjesë në 30 ndeshje e shënoi 7 gola”, shkruhej në njoftimin zyrtar të bërë nga ana e klubit të Segunda Division.
Ndërkohë, një regim mbi këtë operacion ka pasur edhe nga ana e drejtorit sportiv të Albacete, Mauro Perez. “Jemi shumë të lumtur për blerjen e Rei Manajt. Ai është një futbollist i ri që ndiqnim që në vitet me të rinjtë. Ai është një sulmues që po na dhuron lumturi në të tashmen dhe e dimë që për perspektivën që ka, do të na dhurojë të tilla edhe në të ardhmen”, ishte deklarata e lëshuar nga drejtuesi i klubi spanjoll. Marrja e vendimit për të qendruar me Albacete sikur i jep vazhdueshmëri sulmuesit shqiptar, i cili gjatë tre viteve të fundit kishte ndërruar skuadër në mënyrë të shpeshtë. Kjo natyrisht që i kishte krijuar vështirësi të ambientohej për një kohë të gjatë me një klub. Mirëpo, Manaj mund të thuhet se ka gjetur ambientin ideal pikërisht te Albacete.