Etrit Berisha përfundimisht është zyrtarizuar si portieri i ri i skuadrës së SPAL-it në Serinë A. Gjatë ditës së dielë, klubi nga Ferrara mori portierin e Kombëtares shqiptare, nga Atalanta në formë huazimi, me detyrim blerjeje në fund të sezonit të ardhshëm, nëse do të verifikohen disa kushte të caktuara.
Portieri i Shqipërisë, i cili ka qenë në Itali që nga viti 2013, fillimisht te Lazio, më pas tri vite te Atalanta. Ndërsa Spali është ekipi i tij i tretë italian. Ndërkaq, përmes një mesazhi në profilin personale në Instagramit, ka dashur të falënderuar të gjithë për vitet te Atalanta, ndërkohë që mezi pret të nisë aventurën e tij të re.
“Kam kaluar vërtet tri vite fantastikë në Bergamo, në një qytet ku që nga dita e parë e kam ndier dashurinë dhe mbështetjen dhe entuziazmin e tërë skuadrës. Prandaj dëshiroj t’i falënderoj të gjithë për momentet historike dhe të paharrueshme të cilat i kemi arritur së bashku. Tashmë pres me padurim që të nis eksperiencën me skuadrën e re. Aty dua ta jap më të mirën për qytetin dhe për njerëzit atje, të i kam parë se janë mjaft të lidhur me këto ngjyra”, shkroi Berisha në Instagram.
Ai kërkon që të rikthehet të përjetojë gjithcka si protagonist në futbollin italian, pasi në kampionatin e kaluar humbi fanelën e titullarit mes shtyllave të Atalantës, duke qendruar në pankinë veçanërisht përgjatë pjesës së dytë të sezonit. Atalanta do të luajë këtë vit për herë të parë në grupet e Champions League, mirëpo duket se portieri shqiptar ka preferuar më shumë një skuadër, ku të ketë mundësinë të aktivizohet, sesa të rrezikojë për të vështruar përsëri ndeshjet nga stoli.