Çdo vit që kalon, është i mbushur me lamtumira. Por 2017-a do të mbahet mend si ai ku thanë “mjaft” disa kampionë…legjenda të gjalla. Duke lënë një zbrazëti të madhe në futboll…
Mbi të gjithë do të na mungojë ai, Francesko Toti. Prej majit, Roma ka mbetur pa kapitenin e madh. Mjafton kaq për të kuptuar se futbolli ka ndryshuar, jo pak… Nuk është më as Chelsea i Xhon Territ. Dhe ngjan vërtet absurde, për të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të sukseseve të bluve të Londrës, me atë si kapiten.
Nuk ka më as Bajern të Filip Lahm, kapiteni i palodhur që e kuptoi se nuk mund të vrapojë më kilometra të tëra në fushë. E as t’i bindet urdhrave për ndryshimet e shpeshta të rolit, që i kanë kërkuar trajnerët. Prej muajsh nuk godet më topa të kalibruar as këmba e Ksabi Alonsos. Spanjolli, pasi mori kënaqësi me fitimin e të gjithë trofeve të mundshëm, vendosi të ulë siparin në Bavari, me titullin e panumërt kampion.
Nuk ekziston më as “Vinsente Kalderoni” si stadium i Atletikos së Madridit. Ai impiant doli në pension, bashkë me portugezin Tiago, të cilin shokët e ngritën në ajër për herë të fundit, pas një karriere me këmbë në tokë.
Futbolli s’do të jetë i njëjtë pa “punëtorin” Dirk Kajit, i cili për 36 vjet luftoi në hije. Sakrifikoi, shpesh duke bërë të ashtuquajturën “punë të pistë”. Dhe u la të tjerëve skenat e pastra. E pasi triumfoi për herë të fundit me Fejenordin, skuadrën ku nisi karrierën, e pa të arsyeshme të ndalet. Ai, ashtu si Toti, Terri e Lahm, të bashkuar nga popullariteti i madh dhe nga një shirit. Ç’ka i bën tashmë kapitenë të paharrueshëm, që megjithëse largohen, sërish mbeten pjesë e vyer e historisë së sportit më të dashur në botë.