Virgil Van Dijk ka bërë një nga sezonet e tij më të mira në karrierë, çfarë kulmoi edhe me fitimin e trofeut më të rëndësishëm për klube, ‘Champions League’. Holandezi është parë si një lider i Liverpool-it në fazën mbrojtëse, ndërsa ka edhe nga ata që e cilësojnë gjigandin e prapavijës si mbrojtësin më të mirë në botë aktualisht. Një prej tyre është edhe trajneri i tij. Jo Jurgen Klopp, por Ronald Koeman i kombëtares holandeze, që pas finales mes Liverpool e Tottenham, nuk kurseu elozhet për 27-vjeçarin. Koeman shkon deri aty sa thotë se ‘Topi i Artë’ duhet të shkojë pikërisht për Van Dijk, pasi ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm loje. Në këtë aspekt, mbrojtësi holandez pritet të ketë konkurencën e fortë të Lionel Messi, që përsëri arriti të kalojë kuotën e 50 golave brenda një sezoni. Megjithatë për Ronald Koeman nuk ka vend për diskutim. Van Dijk ka qenë lojtari më i mirë në Europë në sezonin që sapo u mbyll. Trajneri i tulipanëve pranoi se çmimi më i rëndësishëm individual për futbollistët shkon tek lojtarët që shënojnë më shumë apo janë më deçizivë, por nëse do të kishte një rast ku një mbrojtës e meriton vërtetë të marrë ‘Topin e Artë’, atëherë ai është Virgil Van Dijk. Koeman shtoi se për të, Messi mbetet lojtari më i mirë në botë, por Van Dijk duhet vlerësuar për atë çfarë ka arritur gjatë sezonit që sapo u mbyll. Për këtë, ai kujton edhe një statistikë të jashtëzakonshme të mbrojtësit holandez me fanellën e Liverpool-it, ku në 64 ndeshjet e fundit me fanellën e ‘the reds’, Van Dijk nuk është dribluar asnjëherë.