Pas këmbënguljes dhe dëshirës së madhe të shfaqur prej tij, Roberto Mancini ia doli të marrë përsipër detyrën e vështirë për të rikthyer kombëtaren e Italisë në elitën e futbollit botëror. Një mision ky që do të marrë një kohë të caktuar, pasi siç vetë italianët thonë, skuadra ka nevojë të ‘riformohet’. Skuadra “azzurre” ka një test të rëndësishëm me Ukrainën, sfidë ku Mancini thuhet se do të provojë skemat e reja të përgatitura në ditët e fundit nga ai dhe stafi i tij dhe 53-vjeçari nuk ka asgjë për të fshehur, teksa zbulon edhe se çfarë i mungon aktualisht skuadrës së tij.
“Do të jetë një Itali sulmuese, që do të thotë që do të luajmë me skemën 4-3-3. Për fat të mirë rikthehet Verratti, i cili për mua është shumë i rëndësishëm. Me përvojën e tij do të na ndihmojë shumë. Janë dy ndeshje në 4 ditë dhe ndonjë lojtar do të lodhet më shumë se të tjerët. Donnarumma do të jetë në portë, por pres të kem në formë edhe Chiellinin, pasi është i rëndësishëm. Çfarë i mungon këtij ekipi? Lojtarët teknikë, ata që bëjnë diferencën në fushë. Por kemi vetëm dy ndeshje që luajmë së bashku, ndaj me kalimin e kohës do të përmirësohemi”. Në listën e të grumbulluarve të trajnerit italian ra në sy mungesa e sulmuesve Balotelli dhe Belotti, por Mancini u justifikua se përpara se të vendosë për lojtarët stabël të Italisë, do t’u japë nga një shans të gjithë atyre që janë në formë të mirë.