Ivan Balliu gjen skuadër në Spanjë

Sport

Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë, Ivan Balliu nga sot nis një aventurë të re, me Almerian në futbollin spanjoll. I mbetur pa ekip pas largimit nga Metz-i në Francë, anësori ka shtuar koloninë e shqiptarëve në Segunda Division, duke iu bashkuar kështu Rey Manajt dhe Keidi Bare që luajnë respektivisht për Albacete dhe Malagën. Futbollisti shqiptar ka nënshkruar dhe është prezantuar të hënën te skuadra e tij e re, teksa gjithcka është bërë zyrtare nga vetë klubi përmes rrjeteve sociale. “Mirësevjen Ivan Balliu! Balliu luan në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe vjen nga FC Metz. Ai nënshkroi një kontratë për 2 sezone + 1 tjetër opsional”, ka njoftuar klubi iberik, ndërsa lojtari ka kryer të martën edhe stërvitjen e parë me skuadrën.


Kështu, pas aventurës katër vjeçare te Metz në Francë – ku luati 116 ndeshje -, 27-vjecari është rikthyer në Spanjë. Ai ishte përfolur edhe si një kandidat i mundshëm për t’u bashkuar me skuadrën e Uest Bromëich Albion që garon në Championship, liga e dytë e Anglisë. Si përfundim, mbrojtësi shqiptar është bërë transferimi i parë i verës për Almerian, që tashmë është nën pronësinë e re të sauditit Turki Al-Sheikh dhe ka objektiv primar rikthimin në La Liga. Kujtojmë që Balliu është formuar në akademinë e Barçës, madje ai gjatë dy viteve 2011/13 ishte pjesë e Barcelonës B, para se të kalonte te Aruka në Portugali, ku pati mundësinë të punonte me trajnerin Pedro Emanuel, atë të cilin e rigjen tashmë tek Almeria.