Vinçenzo Italiano dhe Fiorentina do vazhdojnë rrugëtimin së bashku. Tekniku italian, ka një kontratë deri në fitin 2023 me klubin vjollcë, por sikurse raportojnë mediat italiane, palët kanë kanë gjetur marrëveshjen për të rinovuar edhe për një tjetër vit. Pra deri në verën e 2024-tës.
Në fakt, përgjatë ditëve të fundit, në Artemio Franchi qarkullonin zëra se Italiano do largohej nga stoli i skuadrës vjollcë, dhe pasardhësi i tij konsiderohej Roberto De Zerbi, i cili momentalisht ndodhet në krye të Shakhtar Donetsk.
Megjithatë, situata nuk do të ndryshojë. Italiano dhe drejtuesit e Fiorentinës kanë mundur t’i mbajnë raportet pozitive dhe rezultati është rinovimi i kontratës. Në marrëveshjen e re, 44 vjeçari do përfitojë 2 mln euro në sezon, teksa në brendësi do jenë të përfshira edhe bonuse të ndryshme.
Në sezonin e tij të parë në Artemio Franchi, puna e Italianos bëri jehonë. Ai arriti që ta klasifikonte skuadrën në vendin e 7-të të tabelës së renditjes, çka do të thotë një vend i garantuar në kompeticionet europiane. Konkretisht në UEFA Conference League.
Zyrtarizimi I rinovimit të kontratës pritet të konkretizohet javën e ardhshme, teksa drejtuesit e klubit kanë nisur nga puna në merkato për t’i sjellë përforcime trajnerit të tyre. Duke u bazuar në raportimet e shumta sportive, Fiorentina është pranë huazimit të Luka Joviç, sulmuesit të Real Madrid. Për momentin ngërçi i vetëm që kërkon zgjidhje, është paga e lojtarit. Serbi kërkon 6 mln euro në sezon. Fiorentina pritet të paguajë gjysmën e kësaj shume, ndërsa pjesën tjetër do e plotësojë klubi i Los Blancos.