Italia, Mancini jep dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares; e tërheq oferta në Arabinë Saudite

Sport

Roberto Mancini nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses italiane të futbollit. Ky është një nga vendimet më të papritura të këtij viti, pasi të gjithë e shihnin teknikun 58-vjeçar si njeriun që do të udhëhiqte Italinë për një kohë të gjatë. Ajo se çfarë e ndërlikon më shumë situatën, është edhe fakti se kjo lëvizje e bujshme ndodh më pak se një muaj nga ndeshjet kualifikuese të ‘Euro 2024’. Sa i përket Mancini-t, trajneri nuk ka dhënë një sqarim konkret se pse e ka marrë këtë vendim, duke u mjaftuar vetëm me një postim në rrjetet sociale. Ai sqaron se dorëheqja nga roli i trajnerit të kombëtares italiane ishte një zgjedhje personale, ndërkohë që nuk harroi të falenderonte presidentin e federatës, Gabriele Gravina dhe të gjithë stafin e tij. Po ashtu Mancini falenderoi tifozët dhe lojtarët për besimin e pareshtur ndaj tij në gjithë aventurën tek përfaqësuesja, duke kujtuar triumfin në ‘Euro 2020’ si një fitore të jashtëzakonshme.
Shumë pak fjalë për të sqaruar vërtet se çfarë ka ndodhur që e detyroi Mancini-n të hiqte dorë, por mediat kanë zbuluar shpejt atë që mund ta ketë tunduar 58-vjeçarin. Bëhet fjalë për një ofertë të majme nga Arabia Saudite, për të drejtuar për të paktën 3 vite përfaqësuesen e këtij vendi. Nëse çdo gjë do të shkojë sipas planeve, atëherë Mancini do t’i siguronte vetes një pagë prej 40 milionë eurosh në vit, që ndoshta mund të jetë edhe arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së tij nga Italia, pavarësisht se ai nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
Sa i përket vendit vakant të trajnerit të Italisë, emri më i pëlqyer për momentin është ai i Luciano Spalletti-t, por ky i fundit mbetet ende nën kontratë me Napolin. Presidenti i kampionëve të Italisë, De Laurentiis kërkonë të paguhet klauzola për ta lënë trajnerin të lirë dhe tek federata italiane nuk kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë. Gjithësesi, ata kanë besim se një marrëveshje mund të arrihet mes Spalletti-t dhe De Laurentiis, teksa një emër tjetër që po vlerësohet është edhe ai i Antonio Conte-s. Ky i fundit për momentin nuk është i angazhuar me asnjë skuadër dhe e ka provuar të jetë trajneri i Italisë për 2 vite, nga 2014 në 2016-ën.