Fundi i sezonit nuk prodhoi aspak rezultatin e dëshiruar për Milanin dhe ja ku nisin spekulimet. Donnarumma për Cavanin dhe Bonnucci te Manchester United, janë këto lajmet e bujshme që u raportuan të mërkurën nga shtypi italian. Gafat, por edhe luhatjet e shpeshta të formës kanë bërë që ambienti të mos ketë më të njëjtin qëndrim për talentin e portës, Gigi Donnarumma. Vigani vetëm 19-vjecar, ka si agjent Mino Raiolën, dhe prej kohësh është përfolur një mundësi transferimi te PSG. Pikërisht prej kampionëve të Francës mund të vijë alternativa, por jo në portë. Edinson Cavani thuhet se mund të jetë lojtari që kërkon Milani për ta shkëmbyer me Gigin.
Autor i 40 golave këtë sezon, uruguaiani ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Neymarin në Paris, por vështirë të pranojë një shkurtim page dhe të mos luajë në Champions League. Pikërisht ky ishte synimi i sezonit që kaloi për Milanin ndaj dhe u investua fuqishëm, plot 195 milionë euro. Por njëri prej tyre, për të cilin u pagua tepër, 42 milionë, thuhet se mund të kalojë te Manchester United sezonin e ardhshëm. Jose Mourinhon mendohet se ka interes për Leonardo Bonuccin dhe sipas Tuttosport mund të lëvizë diçka për të në verë. Fakti se Italia nuk luan në botëror dhe ai mund të jetë i freskët për nisjen e sezonit të ardhshëm, përbën avantazh.