Itali, sërish kore raciste për Matuidinë, Cagliari kërkon ndjesë, Balotelli solidarizohet me 30-vjecarin

Sport

Blaise Matuidi

Ndodhi në Verona, dhe sërish gjithcka u përsërit edhe ndaj Cagliarit. Blaise Matuidi ishte në qendër të sulmeve raciste nga tifozeritë kundërshtare të Juventusit dhe 30-vjecari ish-mesfushor i PSG, nuk e ka përtypur aspak këtë gjë. “Sot përjetova sërish racizëm gjatë ndeshjes. Njerëz të dobët kërkojnë të më intimidojnë, me gjuhën e urrejtjes, por unë s’jam tip që urrej dhe kam veçse keqardhje për njerëz të tillë që bëhen shembuj negativ” – ka shkruar Matuidi në një postim të gjatë në Facebook. Më 30-dhjetor në sfidën kundër Veronas, Matuidi realizoi një gol, ndërsa tifozët vendas e ofenduan me kore raciste. Sipas një komunikate zyrtare të Federatës italiane të Futbollit, kjo gjë zgjati vetëm 10 sekonda, por që i kushtoi Veronës një gjobë prej 20 mijë eurosh. Përballë këtij mesazhi goxha të ndjerë nga Matuidi, klubi i Cagliarit ka kërkuar menjëherë ndjesë duke iu përgjigjur në Twitter. “Racizmi nuk ka aspak të bëjë me njerëzit e Sardegnas, vetëm injoranca i jep shpjegim një sjellje të tillë” – lexohej në ndjesën e përpiluar nga Cagliari. Por Matuidi nuk është as i pari dhe as i fundit që vuan këtë qasje në Itali. Mario Balotelli, goxha i sulmuar për shkak të ngjyrës së lëkurës, i ka dalë atij në mbështetje duke i kërkuar përmes një postimi në Instagram që të tregohet i fortë dhe të bëjë përpara. “Jo të gjithë italianët janë të tillë, por mos lejo që injoranca të të prekë, vazhdo kështu!” ishte mesazhi i sulmuesit të Nice-ës.