Itali, Roma në lotë, Totti i jep lamtumirë Olimpicos

Sport

dfsdfdsf

E diela e fundit e Serie-A-së për këtë sezon i dhuroi Romës vendin e dytë dhe kualifikimin direkt për në Champions League-ën e vitit të ardhshëm. Fitorja 3-2 me Genoan vulosi atë biletë që për sezonin 2016-2017-të nuk u arrit në fazën “play-off” me Porton. Por ndërkohë kjo e dielë ishte e fundit në Olimpico për Francesco Tottin. Nën një atmosferë mbreslënëse, si asnjëherë tjetër, 65 mijë tifozë u mbërthyen mes lotësh teksa përshëndetën për herë të fundit si lojtar kapitenin e tyre. Pas 25 vitesh, 786 ndeshjesh dhe 307 golash vetëm me ngjyrat e Romës, Totti i jep fund karrierës së tij me skuadrën e zemrës. Të paharrueshme momentet e vitit 2001 kur u shpall kampion i Serie-A-së, apo ai vit 2006-të, kur pas një lëndimi të rëndë, riaftësohej dhe ngrinte lart Kupën e Botës me Italinë. Për meritat e jashtëzakonshme me klubin, në shenjë nderimi, Presidenti James Pallotta i dhuroi atij fanellën me numrin 10-të, që kishte në të një dedikim special. Tërësisht i kapluar nga emocionet. Një përqafim me familien dhe më pas një letër kushtuar dashurisë së tij për futbollin përfshinë edhe më shumë në lotë tifozët e tij. Merr fund kështu aventura e një futbollisti i cili përfaqësoi ëndrrën e një qyteti të tërë që prej vitit 1992. Por ndërkohë e ardhmja e Tottit nuk është vendosur ende, ka sërish zëra që flasin se ai mund të luajë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa te Roma presin që ai të kalojë në stafin drejtues.