Data 19 qershor është vulosur si dita kur do të merret vendimi final i UEFA-s për klubin legjendar të Milanit. Kuqezinjtë prej kohësh janë në probleme me gjetjen e një marrëveshjeje në lidhje me financat e shpenzimet e fundit, por për institucionin më të rëndësishëm evropian për futbollin, problemi i vërtetë është mosbesimi ndaj presidentit kinez Li. Milani është paralajmëruar për sanksione të rënda, që fillojnë nga gjoba të majme e deri në vendimin ekstrem të përjashtimit nga kompeticionet evropiane vitin e ardhshëm. E megjithatë, pavarësisht kësaj krize që klubi nga Milano po kalon, drejtuesit e 7 herë kampionëve të Evropës vazhdojnë të punojnë në merkato. Ylli i Lyon, Memphis Depay ka gjetur akordin për t’u transferuar në Itali, ku ka pranuar një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa bisedimet me klubin francez do të hyjnë në fazën finale vetëm pas njohjes me vendimin e UEFA-s.
Në qendër të sulmit, pozicioni më problematik për kuqezinjtë gjatë sezonit që lamë pas, emri më i përfolur është Alvaro Morata. Drejtori i Milanit, Massimiliano Mirabelli thuhet të jetë takuar me agjentin e lojtarit dhe spanjolli mendohet të jetë i dyzuar mes kuqezinjve dhe Juventus. Alternativa e Moratas është Falcao i Monacos. Me kolumbianin mendohet të ketë një akord verbal, ndërsa klubi nga Principata është e gatshme të degjojë ofertat për të. Në mbrojtje u zyrtarizua rinovimi i Alessio Romagnolit, për të cilin thuhej se kishte interes të fortë nga Chelsea dhe Real Madrid. Mbrojtësi i kombëtares italiane rinovoi deri ne vitin 2022, teksa pohoi se kërkon të qëndorjë sa më gjatë tek skuadra e Milanit.