Përndjekja më mundimshme e një lojtari të ri është padyshim etiketimi ose krahasimi me një emër të madh të futbollit. Por ky duket se nuk është rasti i Mattia Perinit. 25-vjecari, portier i Genoas është shprehur se nuk e ka ndjerë kurrë si pengesë krahasimin që shtypi i ka bërë me Gianluigi Buffonin. Perin, i cili vuajti 2 vite jashtëzakonisht të vështira pas lëndimeve të ligamenteve të gjurit, është rikthyer sërish në nivelet e larta aq sa së fundmi të lakohet si portieri që do të zëvendësojë 40-vjecarin në kombëtare. Por për këtë pjesë i ashtuquajturi Ed Warner, si personazhi i filmit vizatimor “Holy and Benji” ka theksuar se aktualisht ka plot portierë të tjerë që po spikasin dhe që e meritojnë kombëtaren e Italisë.
“Nuk jam vetëm unë dhe Donnarumma si kandidatë të mundshëm, ka plot të tjerë që po bëjnë një sezon fantastik, Sirigu dhe Consigli për shembull spikatën këtë javë” – tha me modesti 25-vjecari, i cili kombëtaren e ka shijuar vetëm 1 herë në vitin 2014-të. Perin këtë sezon është rikthyer si titullar dhe ka luajtur deri më tani 32 ndeshje. Ai ia ka dalë ta mbajë portën e paprekur në 11 prej tyre. Për sa i përket lëndimeve të rënda, ai preferon të mos i përmendë si justifikim. “Mirë do të kishte qenë që ato të mos kishin ndodhur, por në jetë ka tragjedi edhe më të rënda se sa disa lëndime futbolli” – ka thënë Perin.