Plas mërzia te Napoli. Pak orë pasi e kishte thënë dhe i ati, Marek Hamsik ka konfirmuar se me shumë gjasa do të largohet nga Serie-A. “Kam dhënë gjithë forcat e mia për këtë skuadër dhe mbase ka ardhur momenti që rrugëtimi ynë të mbyllet. Do më pëlqente të provoja diçka të re” ka deklaruar sllovaku për të përditshmen e vendit të tij “Pravda”. Në fillim të javës i ati i kapitenit të Napolit kishte deklaruar se 30-vjeçari me “60 përqind të mundësive” do të largohet në Kinë. Në San Paolo që prej vitit 2007, Hamsik ka dhënë vërtetë gjithcka për fanellën e Napolit.
Ai këtë sezon theu rekordin e legjendës Maradona duke kapur kuotën e 120 golave, 100 prej të cilëve vetëm në Serie-A. Që prej fillimit, të shumta kanë qenë interesimet për të ashtëquajturin “Marekiaro” por gjithmonë ai pati deklaruar dashuri për skuadrën napolitane duke i qëndruar edhe ofertave të Milanit të Berlusconit. Duke iu rikthyer deklaratës së fundit bërë për mediat sllovake, Hamsik shfaqet i zhgënjyer nga sezoni, ku priste që ta shpallte Napolin kampione. Me lajmet që flasin për një largim edhe të trajnerit Sarri, e vështirë duket që ai të qëndrojë edhe kësaj radhe. Kështu të trazuar nga kjo amulli, tifozët napolitanë kanë nisur menjëherë reagimet. Të gjithë në kor, në rrjetet sociale ka nisur apeli nga ultrasit që kapiteni të mos e braktisë skuadrën tani ku gjërat janë të pasigurta.