Prej më se një jave në Itali po përflitet për një lëvizje me efekt domino në merkato për sa i përket sulmuesve. Emri kryesor është ai i Higuain, i cili mund të largohet nga Juventusi. Në këtë pikë si zëvendësues i argjentinasit në Torino është përfolur për një tjetër argjentinas, për atë të Interit, Mauro Icardin. Të shumta janë opinionet rreth kësaj ideje, por ai që nuk e fsheh aspak mendimin është Massimo Moratti. Ish-Presidenti i klubit zikaltër ka qenë i drejtpërdrejtë teksa e ka cilësuar si një nga marrëveshjet e vitit, gjithmonë nëse realizohet.
“Si tifoz dhe si i apasionuar pas Interit do doja që Icardi të mbetej në skuadër, por nëse flasim për bilance dhe situata ekonomike atëherë gjërat ndryshojnë” – ka thënë Moratti, sipas të cilit do të ishte më mirë një marrëveshje me Juventusin dhe ku Interi të merrte Higuainin dhe një shumë prej rreth 50 milionësh se sa ta largonte atë nga Serie-A dhe të mos merrte asgjë në këmbim por vetëm para. Llogaritë janë të thjeshta për Morattin, i cili prej kohësh nuk duhet të marrë më vendime për klubin. Po ai thotë se do t’i pëlqente edhe Lewandowski me fanellën e Interit, por koha kur bilancet ishin pozitive dhe ku çmenduritë në merkato ishin të lejueshme duket disi e largët. Interi duhet të vendosë me maturi, sidomos tani që është rikthyer në Champions League dhe ka një projekt në nisje me Luciano Spallettin.