Ashtu sikurse ishte parashikuar, pasditen e së hënës Roberto Mancini hodhi firmën mbi kontratën që do ta lidhë me përfaqësuesen e Italisë deri në vitin 2020-të. Pasi u lirua nga angazhimi që kishte me Zenitin në Rusi, muajin e fundit Mancini u pa shpesh në Itali duke ndezur menjëherë spekulimet se ai do të ishte trajneri i ardhshëm i të kaltërve. Mancini mbërriti në Fiumicino të Romës mëngjesin e së hënës, kur u prit nga mjaftë të interesuar që nuk e lanë të kalonte pa vëmendje. Edhe pse zyrtarizimi i angazhimit të Mancinit pritej të bëhej mesditën e së martës, Komisari teknik Fabbricini nuk mundi të mos njoftonte nënshkrimin e kontratës.
“Mund ta themi tashmë se Mancini është trajner i Italisë. Entuziazmi i tij për këtë sfidë të re ishte vendimtar për zgjedhjen tonë” – u shpreh Fabbricini. Rreth orës 21:25 erdhi më pas edhe komunikimi zyrtar në faqen e Twitterit. “Federata Italiane e Futbollit iu komunikon dakordësimin e bashkëpunimit teknik me Mancinin” shkruhej në postimin e Federatës teksa u njoftua edhe prezantimi i tij zyrtar. 52-vjecari do të paguhet me rreth 2 milionë euro në sezon. Sprovat e tij të para vijnë menjëherë në fund të muajit maj kur nisin edhe miqësoret me Arabinë Saudite, Francën dhe Holandën