Itali, Interi kualifikohet vetëm përmes penalltive në Kupë kundër një skuadre si Pordenone

Sport

internetponde
Luciano Spalletti kishte të drejtë, arsyeja se përse Interi ka rreshtuar pothujse gjithmonë të njëjtët lojtarë në 16 javë të Serie-A-së ka qenë se në stolin e rezervave nuk ka shumë alternativa të denja. Në sfidën e Kupës së Italisë kundër një rivali si Pordenone, nga kategoria e tretë, zikaltërit u kualifikuan vetëm pas penalltive. Karamoh, Dalbert, Cancelo dhe Pinamonti ishin ata që zhgënjyen në testin më të rëndësishëm që u dha trajneri i tyre, rezultati. Përgjigjia e të rinjve ishte zhgënjyese për zikaltërit, ndërsa edhe aktivizimi i Brozovic, Perisic dhe Icardit nuk e zgjidhi dot ndeshjen, që shkoi në shtesë e më pas drejt penalltive. Gabimet e Skriniar dhe Gagliardinit, u bënë të harroheshin nga shpërdorimi i Parodit për Pordenonen që humbi kështu dhe takimin. Pas ndeshjes trajneri i Interit u tregua i drejtpërdrejtë ndërsa tha se nëse skuadra e kategorisë C do të kishte fituar, do të kishte qenë me meritë, kjo pasi luajtën më mirë. “Ishim nën nivelin tonë, mbase paralajmërimet e mia nuk kanë gjetur vëmendjen e duhur” – tha trajneri i Interit pas ndeshjes. Në ambientin e tyre kërkohet vëmendje maksimale, sidomos pas marrjes së kryesimit me 40 pikë të kampionatit. Barazimi me Juventusin tregoi se ky Inter është krejt tjetër, por barazimi me Pordenonen tregoi dobësinë e parë të kësaj skuadre, pikërisht stoli i rezervave, stol që shpresohet të pasurohet me lojtarë më të dobishëm në merkaton e janarit.