Itali, Inter mendon për Belottin në rast largimit të Lautaros

Sport

E ardhmja e Lautaro Martinez mbetet ende në pikëpyetje. Sulmuesi argjentinas është lidhur shumë me një transferim tek Barcelona, aq sa shumë media të huaja e kanë bërë të sigurtë kalimin e tij në ‘Camp Nou’ në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, tek Interi, drejtuesit nuk kanë ndërmend të heqin dorë kollaj prej Lautaros, i cili do të lejohet të largohet vetëm nëse plotësohen kushtet financiare të klubit italian. Nga ana tjetër, Inter vijon punën për të gjetur zëvendësuesin e denjë të Lautaros, gjithmonë nëse argjentinasi do të largohet. Sipas mediave italiane, një emër i fortë që po diskutohet brenda skuadrës milaneze është ai i Andrea Belottit. Sulmuesi i Torinos shihet si pasues i denjë i Martinez dhe duke qenë se Belotti e njeh mirë ambjentin e ‘Serie A’, do t’ia dilte të përshtatej shpejt me Romelu Lukakun në sulm. Inter pati shfaqur interes për 26-vjeçarin edhe përpara dy sezonesh, por në atë kohë, kërkesat prej 100 milionë eurosh të drejtuesve të Torinos bënë që skuadra si Interi të tërhiqeshin nga tratativat për Belottin. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Performancat jo të mira të Torinos apo edhe kriza që ka shkaktuar pandemia e Covid-19, ka bërë që tek ekipi ‘granata’ të ulin pretendimet e tyre. Mediat italiane raportojnë se një ofertë prej 40 milionë eurosh, do të ishte e majftueshme për të bindur drejtuesit e Torinos, ndonëse tek Interi do të kërkojnë të ulin sa më shumë shifrat. Andrea Belotti gjatë këtij sezonit të ‘Serie A’ ka zhvilluar 25 ndeshje, me 10 gola të shënuar dhe 2 asiste.