Sezoni i Stefano Sensit me fanellën e Interit ka qenë me shumë dritë-hije, pasi mesfushori ka vuajtur disa dëmtime, që nuk e kanë lejuar të jetë vazhdimisht në fushën e lojës. Ai numëron me klubin milanez 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 3 gola dhe 4 asiste. Gjithësesi, 24-vjeçari duket se ka fituar besimin e drejtuesve të Interit, që kanë vendosur ta blejnë përfundimisht kartonin e tij. Gjatë 2019/2020-ës, Sensi ka qëndruar në radhët e zikaltërve si lojtar i huauzuar nga Sassuolo. Pikërisht drejtori i përgjithshëm i këtij klubi, Giovanni Carnevali ka zbuluar për mediat se Interi do ta blejë kartonin e mesfushorit 24-vjeçar.
“Sensi do të jetë lojtar i Interit. Nuk ka dyshime për këtë, pas zikaltërit e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre. Zyrtarizimi dhe detajet do të zbulohen kur vijë momenti i duhur.”
Kanë qenë këto fjalët e Carnevalit në lidhje me qëndrimin e Sensit tek Inter, teksa në fund foli edhe për çështjen e uljes së çmimeve të lojtarëve në merkato, për shkak të krizës financiare që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Drejtori i Sassuolos u shpreh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me vlerat e lojtarëve të skuadrës emilianëve. Carnevali theksoi se Sassuolo do të vijojë të jetë një treg i shtrenjtë për të gjitha klubet që interesohet për lojtarët e kësaj skuadre, ndërsa sa oi përket merkatos në hyrje, ai u shpreh se do të bisedohet fillimisht me trajnerin dhe drejtuesit e tjerë të klubit, për të parë se cili repart do të ketë prioritet gjatë kësaj vere.