Zhvillime interesante në çështjen Icardi. Pak pas deklaratave në seri të bashkëshortes së tij Wanda Nara, ka ardhur dhe lajmi se klubi zikaltër e ka gati ofertën e ripërtëritjes së kontratës. Për kapitenin e Interit, thuhet se janë interesuar vetë zotëruesit e klubit, familja Zhang, Presidenti Steven dhe pronari Jindong. Shtypi italian raportoi të mërkurën se oferta e bërë gati nga zikaltërit është 7 milionë euro në sezon dhe një klauzolë të fiksuar në 180 milionë. Kjo lëvizje nga ana e drejutesve vjen pas deklaratave dhe kundërdeklaratave të Wanda Naras, që në disa emisione televizive pati deklaruar se ata s’e kishin kërkuar ripërtëritjen e kontratës, duke ndezur fillë spekulimet se në mes ishte futur Reali i Madridit. Tanimë me një ofertë konkrete topi i kalon argjentinasit. Icardi te Interi merr aktualisht 4.5 milionë euro në sezon. Në Itali ka shumë lojtarë të cilët paguhen më tepër se kapiteni i Interit, njëri prej tyre është Gigi Donnarumma i Milanit, që merr 6 milionë euro. Me lëvizjen e fundit Icardi mund të përfitojë 7 në sezon gjithmonë nëse nuk arrihet dicka më shumë me bonuset në bisedimet që Wanda do të ketë me drejtuesit e Interit. Kontrata aktuale e vlefshme deri në vitin 2021 mund të shtohet me së paku dy vite, por kjo do të nënkuptonte se Icardi do të blindohej me një klauzolë fikse 180 milionë, shifër që frikëson cilindo klub në Evropë, qoftë dhe Realin e Madridit.