Itali, Fiorentina zbulon mungesat për shkak të COVID-19

Sport

Pasi qeveria italiane ka dhënë dritën jeshile për të filluar sezonin, klubet kanë nisur menjëherë testet ndaj lojtarëve për të mësuar gjendjen e tyre. Në fakt, duhet thënë se të dhënat e para nuk janë aspak të mira. Me anë të një postimi në kanalin zyrtar, Fiorentina bën të ditur se kanë rezultuar pozitivë 6 anëtarë të klubit, 3 prej të cilëve janë lojtarë, kurse 3 të tjerët janë pjesëtarë të stafit tekniko-sanitarë. Menjëherë janë marrë masat e duhura, teksa këta individë do të qendrojnë tashmë 14 ditë në karantinë, duke u distancuar nga pjesa tjetër e grupit. Kujtojmë se klubi vjollcë që në muajin mars pati 3 lojtarë të infektuar me vurisin Covid, sikurse ishte Vlahovic, Cutrone dhe Pezalla. Po ashtu edhe tek Sampdoria kanë rezultuar 3 lojtarë të infektuar me Covid19-të, ndërsa më herët nië lojtar u konfirmua tek Torino. Të tjera përditësime priten në vijim, pasi të tjera teste do të kryhen ditët e ardhshme. Mirëpo duhet theksuar se shenjat nuk janë aspak të mira dhe nëse bilanci vazhdon të rëndohet, atëherë nuk përjashtohet mundësia që qeveria italiane të ndërpresë sezonin, sikurse ndodhi në Hollandë apo Francë.

Kujtojmë që në Itali, ashtu sikur thuajse në gjithë Europën, nuk luhet futboll prej 2 muajsh. Serie A është ndalur në javën e 26-të dhe deri në këto momente garën e udhëheq Juventus me 63 pikë, teksa ndjek Lazio me 62. Në këto rrethana, të shohim si do të shkojë në vijim situata, për të pasur një panoramë më konkrete për fatin e këtij edicioni  në Itali.