Itali, Duvan Zapata krenar për zërat e merkatos, por përqëndrohet tek Atalanta

Sport

Duvan Zapata po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij, me sulmuesin e Atalantas që udhëhoqi klubin për herë të parë në ‘Champions League’. Kolumbiani është vendosur në qendër të vëmendjes edhe sa i përket lëvizjeve të merkatos, ku shihet si një objektiv mjaft i rëndësishëm për shumë klube të njohura në Itali dhe jashtë saj. Interi ka qenë ndër skuadrat e para që kanë shfaqur interes për Zapatan, ndërsa në Itali flitet se edhe Real Madrid e ka ndjekur sulmuesin nga afër. Këto spekulime duket se e bëjnë krenar Zapatan për ato që kolumbiani ka arritur të bëjë gjatë sezonit që sapo u mbyll. Ndërsa për interesimin e Realit, sulmuesi mbetet me ‘këmbë në tokë’ dhe thotë se e sheh emrin e tij të lidhet çdo ditë me skuadra të ndryshme.

Kështu që për sa kohë nuk ka asgjë konkrete, atëherë ai do të flasë vetëm për Atalantan dhe punën e tij aty. Arritja e një objektivi kaq madhor si kualifikimi në ‘Champions League’ duket se e ka frymëzuar skuadrën bergamaske të testojë veten edhe në elitën e futbollit europian. Zapata thotë se ekipi është i përqëndruar për të bërë sa më mirë, dhe janë të vetëdijshëm se në ‘Champions’ i pret një sfidë shumë e vështirë, pasi jo vetëm që do të përballen me më të mirët, por duhet të provojnë edhe njëherë se Atalanta e ka merituar të jetë mes katër më të mirave të kampionatit italian. Në ‘Serie A’, Zapata shënoi për bergamaskët 23 gola, 3 më pak se kryegolashënuesi Quagliarella, ndërsa kartoni i tij në merkato vlerësohet mbi 35 milionë euro.