Ardian Ismajli vijon të jetë një nga lojtarët më të lakuar për një transferim të mundshëm nga Empoli. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e Juventusit, që po e sheh si një alternativë serioze për merkaton e janarit.“Ka interes nga Juventusi, është e vështirë, por jo e pamundur, shumë shpejt do të vendosim”, deklaroi Ismajli pas ndeshjes me Ukrainën.
Mirëpo Zonja e Vjetër nuk është e vetmja, që e do Ismajlin, pasi për të në garë është futur edhe Napoli. “La Repubblica” ka bërë me dije se të kaltrit janë bindur nga aftësitë e Ismajlit në ndeshjen që skuadra zhvilloi kundër Empolit këtë sezon.
Për këtë arsye, drejtuesit do të përpiqen që ta vendosin nën urdhërata e Antonio Kontes në muajin janar. Gjithsesi mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e Ismajlit. ish-drejtori sportiv i Napolit, Meluso, ndërkaq, ka pranuar se Ismajli është gati për të luajtur në një ekip të madh. “Doja ta çoja në Leçe, më pas e çova në Specia. Aty u rrit shumë me Italianon, duke u përshtatur shpejt me futbollin italian. Ai është një lojtar serioz, me forcë të madhe fizike dhe vizion të shkëlqyer taktik. Është gati për një ekip të madh si Napoli”.