Ndryshe nga sa ndodhi me Uzunin, ndeshjet e mesjavës në kampionatin e futbollit kroatn nuk ka qenë fort pozitive për dy shqiptarët e tjerë, Ardian Ismajlin dhe Eros Grezdën, të cilët kanë pësuar humbje në radhët e Hajdukut të Splitit dhe Osijekut. Për t’u harruar krejtësisht ka qenë e mërkura për qendërmbrojtësin e Kombëtares, i cili doli edhe me karton të kuq gjatë ndeshjes së humbur 0-2 përballë Dinamos së Zagrebit. Lojtari është ndëshkuar me dy karonë të verdhë që në pjesën e parë, duke u larguar nga fusha pas vetëm 40 minutave të luajtura.
Inferioriteti numerik i Hajdukut sigurisht që ia ka bërë më të lehtë Dinamos së Zagrebit për të dominuar sfidën, aq sa gjeti golin dy herë në pjesën e dytë duke marrë një fitore 2-0 në transfertë. Me vetëm një pikë avantazh kundrejt Rijekës dh dy krahasuar me Lokomotivën e Zagrebit të Uzunit, tani Hajduku rrezikon vendin e dytë që të dërgon në Ligën e Kampioneve.Plotësisht jashtë zonës së Kupave të Evropës mbetet Osijek që u mposht 1-0 nga Istra. Mesfushori shqiptar Eros Grezda e nisi ndeshjen si zëvendësues nga pankina, duke u aktivizuar vetëm në minutën e 60-të. Gjithsesi nuk ia doli të linte shenjën e tij në skuadër, duke mos shmangur dot as humbjen minimale.