Ardian Ismajli e konfirmoi veten edhe një herë një shtyllë të mbrojtjes së Empolit. Aq më tepër përballë një kundërshtari si Juventusi. Megjithëse në fillim vuajti avancimet e një dysheje sulmuese si Milik-Vlahovic, me kalimin e minutave ia doli të marrë masat, aq sa arriti të nxjerrë në dritë një paraqitje gati perfekte, i ndihmuar edhe nga partneri i tij i qendrës së mbrojtjes, veterani Luperto.
Rritja e shqiptarit në këtë sezon ka qenë vërtet në mënyrë eksponenciale. Dhe paraqitja e bërë përballë sulmit bardhezi ishte një farë prove-pjekurie. Derisa nga mediat italiane u vlerësuar si një nga më të dalluarit, duke marrë notën 7.5. Ismajli u shfaq vërtet i vëmendshëm, i përqendruar dhe i pranishëm me agonizmin e tij në të gjithë zonat e fushës. Një mur-autentik kundrejt cdo sulmi të ardhur nga ana e “Zonjës së Vjetër”, që nuk mundi të cajë dot edhe për meritë të mbrojtesit shqiptar.
Lajm vërtet pozitiv ky edhe për përfaqësuesen kuqezi, përpara ndeshjeve të qershorit. Kujtojmë që Ismajli mungoi në debutimin e Shqipërisë së Silvinjos në mars, për shkak të një dëmtimi. Por tashmë duket se ka gjetur formën e duhur fizike, duke i dhënë siguri edhe teknikut brazilian, që pëvec tij do të rigjejë edhe një tjetër shtyllë të mbrojtjes, si Gjimshiti. Të dy janë dalluar së fundi në ndeshjet e Serisë a, duke bërë të shpresohet se mbrojtja kuqezi do të jetë një garanci në sfidat me Moldavinë e Ishujt Faraoe, atëherë kur do të mungojë Marash Kumbulla.