ISMAJLI DEMTOHET, SYLVINHO NE ALARM

Sport

Ardian Ismajli ishte një nga lojtarët më të mirë të Empolit përballë Interit në kampionat, me mbrojtësin shqiptar që u mohoi golin disa herë zikaltërve. Madje flagrant ishte rasti i min.10, kur praktikisht bëri rolin e portierit, duke larguar me kokë një top që po kalonte vijën fatale, për të hyrë në rrjetë. Fatkeqësisht, ai u zëvendësua në minutën e 51’ për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë lojës dhe menjëherë, vetëm pak sekonda pas daljes së tij nga fusha, erdhi dhe euro-goli i Dimarkos, që fiksoi avantazhin e Interit, që mbeti në fuqi deri në fund. Ky është një lajm i keq dhe për Kombëtaren kuqezi, që tashmë pret ekzaminimet e mëtejshme për të parë nëse dëmtimi i qendërmbrojtësit është i rëndë dhe nëse do të ndikojë te pjesëmarrja e tij në impenjimet e mëpassshme të Empolit, por edhe për ndeshjen me Kombëtaren shqiptare, kundër Republikës Çeke.

Në fushë ndaj Interit nga minuta e parë ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, si Etrit Berisha në portë dhe Stiven Shpendi në sulm. Nëse portieri ishte protagonist i disa ndërhyrjeve vendimtare për të shpëtuar thellimin e rezultatit, nga ana tjetër sulmuesui nuk arriti të ndikojë me aksionet e tij, pavarësisht se provoi disa herë të gjuaje drejt portës. Kështu si përfundim, ai ka marrë edhe një lloj vërejtjeje nga trajneri Andreacoli, i cili ka deklaruar se nga Shpendi pretendon të japë shumë më tepër nga sa tregoi gjatë paraqitjes së tij të parë si titullar në Serinë A. Menjëherë Empoli luan në mesjavë sfidën e radhës në kampionat përballë Salernitanës, aty ku duhet parë nëse tekniku do ta konfirmojë si titullar sulmuesin e Shpresave të Shqipërisë, ndërkohë që e sigurt është mungesa e Ismajlit, i cili shpresohet të kthehet sa më shpejt në dispozicion.