Arda Guler mund të konsiderohet i pafatë. I sapokthyer nga një dëmtim i gjatë, që e mbajti rreth dy muaj jashtë fushave, fantazisti turk është dëmtuar sërish. Në kanalin zyrtar, Real Madrid ka bërë me dije se 18 vjeçari ka pësuar një tjetër tërheqje muskulore në kofshën e majtë, por në gradë më të lehtë, krahasuar me ndërhyrjen kirurgjikale që kreu gjatë verës.
Si pasojë, Guler do të qëndrojë rreth 3-4 javë të tjera jashtë fushave të lojës, me shpresën se do t’i rikthehet gjendjes optimale.
Në konferencën për mediat gjatë ditës së Martë, Carlo Ançelotti u shpreh se futbollisti është gati për të luajtur dhe do të merrte nga pak minuta, derisa të fitonte formën e tij optimale. Megjithatë, diçka e tillë nuk do të ndodhë, sepse Guler ka hapur përsëri krahun.
Në merkaton e verës që lamë pas, Arda Guler i kushtoi Realit plot 20 milionë euro, që i pagoi në arkat e Fenerbahçes, teksa me klubin e Los Blancos ka nënshkruar një kontratë, të vlefshme deri në verën e 2029-tës. Për të siguruar shërbimet e tij, 14 herë kampionët e Europës fituan konkurencën me një sërë klubesh me peshë të kontinentit, por që Arda të zbresë në fushën e blertë, në “Santiago Bernabeu”, duhet të presin të paktën edhe një tjetër muaj.