Interi do të kërkojë të rikthehet në 4 më të mirat e Europës pas 13 vitesh, herën e fundit që ndodhi zikaltërit e mbyllën duke u shpallur për herët të 3-të kampion të Europës. Sfida e parë në Lisbonë i ka dhënë një avantazh të rëndësishëm pas suksesit 0-2, dhe një tjetër ogur i mirë është fakti që Interi nuk është mposhtur asnjëherë në histori nga Benfica, 3 fitore e një barazim, e megjithatë sfida e kësaj të mërkure mund të jetë një histori më vete dhe trajneri Simone Inzaghi nuk kërkon të nënvlerësojë askënd dhe të rrezikojë në këtë mënyrë kalimin në gjysmëfinale.
“ Benfica është një ekip me nivel të lartë teknik dhe është e sigurt që do na krijojë probleme. Duhet të punojmë me intensitet të lartë dhe të mbulojmë si duhet zonat. Ne duhet të zhvillojmë ndeshjen tonë pa menduar për avantazhin që kemi. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe dëshirojmë që ti dhurojmë tifozëve tanë gjysmëfinalen e Champions League” – deklaroi tekniku i ekipit Italian që nuk kërkoi të paralelizonte ecurinë në kampionat ku zikaltërit kanë rregjistruar 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit me rrugëtimin në Uefa Champions League.
“ Jemi të ndërgjegjshëm për ecurinë që kemi patur në kampionat dhe e kemi të qartë që kemi lënë pikë të rëndësishme, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm për rrugëtimin tonë në kompeticionet e tjera dhe për momentin jemi të përqëndruar vetëm tek Benfica, më pas do të shohim cfarë do të ndodhë”- u shpreh numri 1 i stolit të Interit, i cili mund të bëhet trajneri i parë italian i zikaltërve që siguron gjysmëfinalet në historinë e Champions Leagues, qëkur kompeticoni morri këtë format në vitin 1992.