Inzaghi ka besimin e klubit, ja 12 ndeshjet e Interit deri përpara nisjes së Botërorit

Sport

Periudha pas kësaj pauzës të kombëtareve, e deri në nisjen e Botërorit, pritet të jetë shumë vendimtare në ecurinë e skuadrave për këtë sezon futbollistik. Këtu nuk bën përjashtim as Interi. Madje, pikërisht kjo kohë do shërbejë si një test force për nënkampionët e Italisë për t’i ndryshuar fytyrën nisjes së këtij edicioni.

Pavarësisht rezultateve të paqëndrueshme, e pavarësisht kërkesës së tifozëve, ndryshime në pankinë nuk do të ketë. Trajneri Simone Inzaghi mbetet i paprekshëm. Drejtuesit  e klubit me bazë në Milano janë të bindur për të vazhduar me tenikun italian, mirëpo edhe kjo e ka një limit. Do jetë pikërisht kjo fazë prej një muaji e gjysmë, ku Interi duhet të tregojë se është një skuadër me më tepër potencial dhe se rezultatet aktuale janë thjesht një ngërç i momentit.

Në një hark kohor prej vetëm 6 javësh, Interi do luajë 12 ndeshje në total. Zikaltërit e nisin me disa takime tepër të rëndësishme, sikurse janë Roma, Barcelona, Sassuolo dhe sërish Barcelona. Më pas është Salernitana dhe Fiorentina, ndjekur nga Viktoria Plzen në Champions League. Pastaj vjen Sampdoria, Bayern, Juventus, Bologna dhe Atalanta.

Gjatë kësaj periudhë, trajnerin Inzaghi e pret një punë kolosale. Tekniku italian ka në dorë për të shuar të gjitha dyshimet, nga të cilat është i rrethuar. Ekipi ka nevojë për një shkundje dhe për një përgatitje tjetër si fizike, ashtu edhe psikologjike.

Mëngjesin e kësaj të enjteje, drejtuesit e Interit kanë zbarkuar në qendrën stërvitore të klubit, aty ku janë takuar me Inzaghin dhe me një pjesë të vogël të lojtarëve, pasi shumica e tyre për momentin janë të grumbulluar me përfaqësueset përkatëse.

Sipas raportimeve që vijnë nga përtej detit, ky ballafaqim mes drejtuesve dhe trajnerit, ka shërbyer si për të thyer akullin mes palëve, pas asaj humbjeje në transfertën e Udineses. Gjithashtu, me këtë lëvizje, lidershpi ka treguar se është në të njëjtën linjë me trajnerin Inzaghi dhe se vetëm të bashkuar mund të kalojnë momentin e vështirë.