Përveç punës intensive që ka nisur në merkato, Interi po i kushton vëmende edhe organikës aktuale. Hakan Çalhanoglu dhe Alessandro Bastoni kanë rinovuar zyrtarisht kontratat përkatëse me klubin zikaltër.
Në fakt, si për mesfushorin, ashtu edhe për mbrojtësin, ishtë raportuar më herët, se palët kishin arritur me sukses një marrëveshje të re, por gjithçka do të bëhej konkrete, në momentin kur të përfundonte sezoni.
E në fakt, ashtu ndodhi. Hakan, ka rinovuar deri në 2027-tën, me turkun që është një element mjaft i rëndësishëm për trajnerin Simone Inzaghi dhe këtë e tregojnë prezencat e tij në fushën e lojës. Në edicionin që lamë pas, Çalhanoglu, luajti 49 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke dhënë një kontribut me 4 gola, e 8 asiste.
I bashkuar me Interin në 2021-shin, vetëm 29 vjeç, Hakan konsiderohet ende tepër i rëndësishëm për organikën zikaltër, e kjo është arsyeja e fortë që drejtuesit i besuan lojtarin një tjetër rinovim të kontratës.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Alessandro Bastonin. Mbrojtësi i qendrës ka rinovuar deri në 2028-tën, teksa në marrëveshjen e re, ka ndodhur edhe një ndryshim i termave financiarë. Në vijim, shtatlarti i prapavijës do të përfitojë 5.5 milionë euro në sezon. Vetëm 24 vjeç, italiani konsiderohet një nga shtyllat e skuadrës. Në sezonet e fundit ai është kthyer në një titullar të padiskutueshëm të Interit dhe këtë e tregojnë statistikat e edicionit të kaluar. Në të gjitha frontet, Bastoni regjistroi 46 ndeshje të luajtura. Ndonëse një mbrojtës, ai arriti gjithashtu që të shërbente 6 asiste për shokët e ekipit.
Mirëpo nuk mbyllet këtu. Interi po vijon punën intensive edhe në merkato. Pas largimit të Milan Skriniar, zikaltërit duan një zëvendësues të sllovakut dhe objektivi është gjetur. Fjala është për Merih Demiral, i cili për momentin është në pronësinë e Atalantës. Agjenti i mbrojtësi turk është shprehur se palët janë në bisedime me Interin dhe mundësia është tepër e madhe që Demiral të bëhet pjesë e klubit 19 herë kampion të Italisë.