Interi zgjat duart drejt titullit kampion, thellohet diferenca me ndjekësit

Sport

Interi zgjat duart drejt titullit kampion. Në javën e 27 të Serie A, zikaltarit fituan 2-1 përballë Genoas në shtëpi. Golat për vendasit u shënuan nga Kristjan Asllani dhe Alexis Sanchez, kurse për miqtë, shënoi Vasquez.

Kjo ishte fitorja e 9-të radhazi në kampionat për Interin, diçka që ka ndodhur për herë të parë me trajnerin Simone Inzaghi. Një ecuri të tillë, zikaltërit e kishin arritur për herë të fundit nga Janari, e deri në Prill të 2021-shit, atëherë kur nën drejtimin e Antonio Contes fitonin pikërisht 9 takime të njëpasnjëshme në Serie A.

Gjithashtu, dueli me Genoan, rezultoi të ishte njëkohësisht edhe ndeshja e 300 e Inzaghit në Serie A, në të cilën arriti fitoren e 178, duke lënë pas emra si Carlo Ançelotti dhe Massimiliano Allegri, të cilët në 300 ndeshjet e tyre të para në kampionatin Italian, kishin arritur përkatësisht nga 172 dhe 171 fitore.

Më tej, kjo ishte fitorja e 23 e Interit në 27 javë të kampionatit, me skuadrën zikaltër që është ngjitur tashmë në kuotën e 72 pikëve, 15 më tepër sesa vendi I dytë që mbahet nga Juventusi. Me të tillë diferencë, e duke marrë parasysh se deri në fund kanë mbetur edhe 11 javë për t’u luajtur, Interi tashmë ka zgjatur duart drejt titullit të 20 kampion në Serie A.