Interi vijon kryesimin në Serie A, por ka një tjetër “detyrë shtëpie” për të plotësuar

Sport

Fitorja 4-0 e Interit në javën e 15 të kampionatit, ndaj Udineses në San Siro, ishte konfirmimi i radhës se këtë sezon, ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi mbetet skuadra për t’u mundur. Zikaktërlt janë ngjitur në kuotën e 38 pikëve, 2 më tepër sesa Juventusi dhe 9 më tepër nga Milani i vendit të 3-të.

Mirëpo Interi nuk e kryeson kampionatin vetëm me pikë, por e kryeson në të gjitha drejtimet. Deri në këtë fazë të sezonit, 19 herë kampionët e Italisë kanë sulmin dhe mbrojtjen më të mirë, me 37 gola të shënuar dhe vetëm 7 të pësuar. Jo vetëm kaq. Edhe golashënuesi më i mirë i Serie A për këtë sezon është pikërisht një futbollist i Interit. Fjala është për kapitenin Lautaro Martinez, i cili ka realizuar 14 gola. Për të kuptuar më mirë diferencën me të tjerët, mjafton të përmendim këtu që në vend të dytë renditet Olivier Giroud me 8 gola.

Sakaq, teksa në kampionat, situata rezulton mëse e qëndrueshme dhe premtuese, këtë mesjavë, Interi ka një tjetër “detyrë shtëpie” për të plotësuar. Të martën mbrëma, zikaltërit presin në shtëpi skuadrën e Real Sociedad, duel i vlefshëm për javën e 6 të fazës së grupeve. Në Grupin D, Interi dhe Sociedad e kanë siguruar kualifikimin, por ende nuk është ndarë vendi parë. Për momentin, në krye qëndron Sociedad, për shkak të golavarazhit më të mirë.

Thënë këtë, kjo është arsyeja kryesore që e Marta mbrëma merr një rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat. Për Interin e Inzaghit, nuk ka vend për shumë llogari. Për të shmangur peshat e rënda në raundin e 1/8-tëve, si Real Madrid, Bayern Munich, Arsenal, Manchester City, apo edhe Barcelona, Interi duhet të fitojë me çdo kusht ndaj baskëve.

Nga ana tjetër, për të mbrojtur vendin e parë, Sociedad mund të mjaftohej qoftë edhe me një barazim në “San Siro”