Interi vazhdon përforcimin në merkato, nga klubi zikaltër ka edhe largime

Sport

Carlos Augusto është përforcimi më i ri i Interit në merkaton e verës. Mbrojtësi i majtë, është siguruar për një sezon në formën e huazimit nga skuadra e Monzas, ndërsa pas një viti, klubi zikaltër e ka të detyruar që të blejë në mënyrë përfundimtare kartonin e brazilianit, me operacionin total që mund të shkojë në rreth 15 milionë euro.

Me 19 herë kampionët e Serie A, Augusto mund të debutojë që në ndeshjen e parë të kampionatit dhe debutimi do të jetë pikërisht ndaj ish-ekipit të tij, Monzas.

“Jam shumë i lumtur. Interi është një skuadër e madhe. Po pres me padurim të luaj në “San Siro” dhe të ndihmojë shokët e mi të skuadrës. S’kam çfarë të them më tepër, pasi vlerat e mia dua t’i tregoj në fushën e lojës. Jam ambicioz. Në të kaluarin, kam zhvilluar një sezon të mirë, por duhet të punoj akoma më fort për të përmirësuar statistikat”, ka thënë braziliani.

Carlos Augusto, është bërë pjesë e Interit, duke zënë vendin Robin Gosens, me këtë të fundit, që është larguar në drejtim të Union Berlin. Aventura e mbrojtësit të majtë, nuk ka zgjatur më tepër sesa 1 vit e gjysmë me klubin zikaltër. Nga shitja e tij, Interi arkëtoi plot 15 mln euro, atje ku në klubin e Union Berlin, Gosens ka firmosur një kontratë deri në vitin 2028.

Sakaq, një lojtar i Interit mund të konsiderohet edhe Marko Arnautoviç, i cili është rikthyer kësisoj në bazë, pas 13 vitesh. Në 2009-tën ai u bë pjesë e zikaltërve të Milanos dhe qëndroi për një sezon. Madje, 34 vjeçari, ishte pjesë e suksesit të 2010-tës, atëherë kur Interi fitoi Champions League, kampionat dhe kupë. Tashmë 34 vjeç dhe me plot eksperiencë, në “San Siro”, Arnautoviç është rikthyer si zëvendësues i Edin Dzekos.