Interi, skuadra e vetme që nuk ka pësuar asnjë gol në Champions League këtë sezon

Sport

Interi po përjeton sezon ëndrrash në UEFA Champinos League. Në 5 javë të luajtura në Fazën e Ligës, skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi ka marrë plot 13 pikë nga 15 të mundshme, teksa ndeshje e vetme që nuk ka fituar, është ajo e javës së parë, në Angli ndaj Manchester Cityt, takim që përfundoi 0-0. Që prej atëherë, për zikaltërit kanë ndodhur vetëm gjëra positive. Për herë të parë në historinë e klubit në Champions League, Interi ka fituar 4 ndeshje radhazi dhe nuk ka pësuar asnjë gol.

Madje, në fakt, kampionët në fuqi të Italisë, nuk kanë pësuar asnjë gol në të 5-ta ndeshjet e luajtura këtë sezon në Champions League, dhe në këtë aspect, është skuadra e vetme nga 36 pjesëmarrëset, që nuk e ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta. Ndonëse në fazën sulmuese, Interi ka shënuar vetëm 7 gola dhe kjo nuk është një e dhënë shumë e mirë, por, mbrojtja zikaltër, është më e forta prej të gjithave, aqsa nuk është ndëshkuar asnjëherë. Testi i javës së gjashtë për Interin do të jetë mëse i vështirë, sepse do të luajë ndaj Bayer Leverkusen në transfertë.