Interi siguron për një tjetër sezon shërbimet e Lukakut, sulmuesi drejt rikthimit në fushë

Sport

Interi siguron shërbimet e Romelu Lukakut edhe për një tjetër sezon. Në marëveshjen fillestare me Chelsean, lojtari erdhi në huazim në radhët e Interit vetëm për një sezon, me operacionin total që shkoi në shifrën e 8 mln eurove. Megjithatë, sikurse raportojnë mediat italiane, Interi dhe Chelsea kanë gjetur një tjetër marrëveshje mes tyre, që huazimi të shtyhet edhe për një sezon të mëtejshëm. Pra, deri në verën e 2024-tës.

Mirëpo nuk mbyllet këtu. Gjithmonë duke u bazuar në shtypin italian, nuk përjashtohet mundësia që në mbledhjen e radhës mes klubit italian dhe atij anglez të diskutohet edhe mundësia e blerjes përfundimtare të lojtarit nga ana e Interit.

Me fjalë të tjera, epoka e dytë e Romelu Lukakut si lojtar I Chelsea mund të konsiderohet e përfunduar, ndonëse gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdimësi.

Sa I përket gjendjes momentale të lojtarit, që prej fundit të muajit gusht, Lukaku vuan nga një shqetësim muskulor. Megjithatë, pritja e gjatë po përfundon dhe sulmuesi është drejt rikthimit në fushën e lojës. Së fundmi, belgu është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës dhe nuk përjashtohet mundësia që të grumbullohet për ndeshjen e kësaj të shtune, në transfertë ndaj Fiorentinës.