Inter dhe Edin Dzeko shumë pranë “divorcit”. Aventura e qendërsulmuesit në “San Siro” mund të konsiderohet e mbyllur. Pavarësisht atmosferës pozitive se palët mund të arrinin në një përfundim të shëndoshë, kjo nuk ka ndodhur. Faktori kryesor i kësaj ndarjeje duket se është çështje financiare.
Inter ii ofronte lojtarit kontratë 2 vjeçare, deri në 4 milionë euro në sezon, kurse Dzeko kërkonte 5, ose 6 mln euro në sezon. Këtë dëshira lojtarit nuk ia plotësoi Interi, por mesa duket, do t’ia plotësojë Fenerbahçe. Është pikërisht klubit gjigant turk i Stambollit që do të sigurojë së shpejti shërbimet e 37 vjeçarit.
19 herë kampionët e Superligës turke, i ofrojnë sulmuesit kontratë 2 vjeçare, me 12 milionë euro në total, plus edhe bonuse të tjera të përfshira në marrëveshje.
Sa i përket aventurës së Edin Dzekos me Interin, ajo nisi në verën e 2021-shit dhe patjetër që mund të konsiderohet pozitive. Në total, boshnjaku luajti 101 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën zikaltër dhe arriti të shënonte një total prej 31 golash, 7 prej të cilëve erdhën në Champions League.
Epoka në në “San Siro”, është shoqëruar gjithashtu edhe me trofe. Me Interin, Dzeko numëron 1 Superkupë dhe 2 Kupa të Italisë. Këtë sezon, ai ishte padyshim një ndër lojtarët me më tepër kontribut në organikën zikaltër, që e ndihmuan skuadrën e Simone Inzaghit të shkonte deri në finalen e madhe të Champions League, në atë që ishte edhe finalja e tij e parë e një kompeticioni të tilë, në moshën 37 vjeçare.
Më tej, Dzeko nuk do të mbahet mend vetëm për golat, apo kontributin e dhënë në fushën e lojës me fanellën e Interit, por gjithashtu edhe për një lidhje mjaft të ngushtë të krijuar me tifozët e klubit.