Interi po mendon për transferimin me parametra zero të kapitenit të Real Madrid, Nacho Fernandez. Ndonëse nuk ka ende një komunikim zyrtar, nga Spanja ka raportime se mbrojtësi i qendrës do të largohet nga Los Blancos në mbyllje të këtij edicioni, duke mos rinovuar kështu kontratën.
Nga ana e tij, Nacho dëshiron të shkëputet nga Europa dhe ta ndërtojë pjesën e mbetur të karrierës në MLS, Amerikë. Megjithatë, nga informacionet e fundit, në garë për të siguruar shërbimet e lojtarit në fjalë është bërë pikërisht Interi.
34 vjeçari mund të luajë të paktën edhe për dy sezone të tjera në nivele të larta, e për më tepër që është një futbollist, shërbimet e të cilit sigurohen pa asnjë kosto, duke qenë se në 30 Qershor të këtij viti, i përfundon kontrata me Realin.
Gjithashtu, Nacho, është një element, që mund të përshtatej në mënyrë perfekte në mbrojtjen e Interit. Spanjolli është një lojtar, i cili mund të luajë në pozicione të ndryshme të prapavijës. Roli i tij është në qendër, por ai ka treguar se ambientohet mjaft mirë edhe krahun e majtë, apo të djathtë.
Duke qenë se trajneri i Interit, Simone Inzaghi luan me 3 mbrtojës, atëherë, Nacho, mund të përshtatet si në qendër, në të djathtë, ose në të majtë të qendrës.
Në kushte si këto, Interi do të provojë për ta bindur lojtarin të bëhet pjesë e skuadrës zikaltër. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë ose jo, kjo mbetet për t’u parë përgjatë ditëve të ardhshme, e më konkretisht pas përfundimit të sezonit.