Interi reagon menjëherë pas humbjes në derbi…

Sport

Interi reagon menjëherë pas humbjes në derbi dhe këtë e ka bërë në një sfidë tepër të rëndësishme, sikurse ishte çerekfinalja e Kupës së Italisë ndaj Romës. Në San Siro, zikaltërit fituan bindshëm ndaj kryeqytetasve me rezultatin 2-0, duke treguar se janë një skuadër që dinë të reagojnë në momente delikate.

Që në minutën e 2-të, Edin Dzeko kaloi vendasit në avantazh, duke shfrytëzuar mjaft mirë pasimin e marrë nga Ivan Perisiç. Ky është goli më I shpejtë në të gjitha kompeticionet që boshnjaku ka shënuar që prej mbërritjes së tij në Itali në sezonin 2015/16-të.

Më pas, në fraksionin e dytë, kryesuesit e Serisë A i dhanë goditjen tjetër kundërshtarit, duke shënuar golin e dytë, që mban firmën e Alexis Sanchez. Tekniku Simone Inzaghi I kishte besuar një vend në formacionin titullar kilianit, i cili ia shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në fund të takimit, timonieri i Interit, Inzaghi është shprehur shumë i kënaqur për personalitetin e treguar nga skuadra e tij, duke theksuar se kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u luajtur, e për këtë arsye ka vlerësuar me nota maksimale futbollistët e tij.

Më tej, ky takim ishte një rikthim në San Siro për Mourinhon pas më shumë se një decade. Special One u shpreh se lidhja me Interin vazhdon të jetë ende shumë e fortë, mirëpo këtë herë kishte ardhur për të fituar, diçka që në fund nuk ia arriti ta bënte dot. Portugezi citoi më tej se ekipi I tij zhvilloi një lojë relativisht të mirë, me përjashtim të 5 minutave të para.

Ndërkohë, pasi ka siguruar biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, Interi tanimë përgatitet për ndeshjen e radhës në Serinë A, aty ku do të vizitojë Napolin në fundjavë. Nga ana tjetër, Roma, po ashtu, do luajë ndaj Sassuolos jashtë shtëpie.