Përveç nisjes pozitive të sezonit dhe ëndrrës për të arritur suksese të mëdha, klubi i Interit, ka gjithashtu edhe një objektiv afatshkurtër. Fjala është për Henrikh Mkhitaryan. Sikurse bëjnë me dije mediat italiane, nënkampionët e Europës synojnë që të rinovojnë kontratën me mesfushorin.
Madje, Interi është gati të nisë dialogun, kështu që përgjatë ditëve të ardhshme do të ketë një takim me agjentin e lojtarit, për të diskutuar termat e marrëveshjes së re. Paketa aktuale e armenit është e vlefshme deri në verën e 2024-tës, mirëpo aventura e tij me ngjyrat zikaltër pritet të zgjasë edhe më shumë, të paktën për një, ose dy sezone të tjera.
Një vit më parë, 34 vjeçari u bë pjesë e 19 herë kampionëve të Italisë, duke u afruar si një futbollist me parametra zero nga klubi i Romës. Kontrata fillestare me Interin u nënshkrua për 24 muaj, por që rrugëtimi duket më i mirë nga sa mund të ishte imagjinuar.
Një futbollist punëtor, me këmbë në tokë dhe gjithmonë i përulur, Mkhitaryan ka arritur të gjejë një vend në formacionin e trajnerit Simone Inzaghi, e madje duhet thënë se i ka treguar vlerat e tij edhe në ndeshje mjaft të rëndësishme. Derbi është një sfidë ku mund të evidentohesh më tepër sesa kudo tjetër dhe armeni ia ka dalë me sukses në këtë drejtim.
Në suksesin 5-1 të zikaltërve në javën e 4 të kampionatit ndaj Milanit, Mkhitaryan shënoi dy gola dhe dhuroi një asist për shokët e ekipit. Gjithashtu, ai ishte protagonist edhe në derbin e gjysmëfinales së edicionit të kaluar në Champions League ndaj Milanit, sfidë në të cilën sërish arriti të shkëlqente me një gol të realizuar.
Në lidhje me çështjen e rinovimit të kontratës së futbollistit në fjalë pritet të ketë të tjera përditësime në vijimësi. Duhet theksuar se marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit është mjaft pozitive, kështu që nuk duket të ketë asnjë pengesë që palët të vijojnë më tej bashkëpunimin.