Antonio Conte ishte trajneri që riktheu Interin tek titulli kampion pas një kohe shumë të gjatë, por nga momenti që italiani nuk është më pjesë e zikaltërve, këta të fundit nuk ndihen aspak të qetë nga personazhi në fjalë. Teksa ndodhet në krye të Tottenham, Conte pati një ndikim të jashtëzakonshëm që Ivan Perisiç të zbarkonte në klubin londinez vetëm pak ditë më parë.
Mirëpo nuk mbyllet këtu, pasi Conte, e ka nisur sërish gjuetinë në shtëpinë e Interit. Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, takticieni në fjalë kërkon një sulmues më tepër në dispozicion dhe ka hedhur sytë nga Lautaro Martinez. Ky, një nga futbollistët më të rëndësishëm të Interit përgjatë sezoneve të fundit. Për të siguruar shërbimet e argjentinasit, Spurs janë të gatshëm të ofrojnë deri në 90 mln euro.
Padyshim që këto janë shifra tronditëse, aq më tepër duke marrë parasysh këtu edhe momentin e dobët financiar që po kalon klubi zikaltër. Mirëpo, El Toro konsiderohet nga drejtuesit si një nga shtyllat e skuadrës, e për më tepër që ka një kontratë që i skadon në vitin 2026-të. Pikërisht diçka e tillë mund të konsiderohet pengesë për Tottenham. Gjithësesi, një peshë mjaft të madhe pritet të ketë edhe vetë dëshira e lojtarit, nëse do i qëndrojë besnik ekipit zikaltër, apo mund të pranojë të bashkohet edhe një herë tjetër me trajnerin Antonio Conte.
Deri në fund të verës, kjo çështje mund të pasqyrohet në të tjera dimensione dhe e ardhmja e Lautaro Martinez është një temë që mbetet për t’u përcaktuar në vijimësi.