Interi nuk e ka më në dorë kampionatin.

Sport

Në javën e 29-të të Serisë A, zikaltërit nuk shkuan më shumë sesa një barazim në transfertën e Torinos, aty ku sfida përfundoi me shifrat 1-1.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh, me anë të Bremer që më minutën e 12-të të takimit. Që prej sezonit 219/20-të, Bremer ka shënuar 11 gola në Serinë A, më shumë sesa çdo qendërmbrojtës tjetër.

Ndërkohë, kampionët në fuqi të Italisë, reaguan vetëm në minutën e 93 dhe konkretisht ishte Alexis Sanchez ai që barazoi rezultatin, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij, e duke e bërë situatën më pak dramatike.

Ky është barazimi i 4 radhazi për Interin në transfertë sa i përket ndeshjeve në Serinë A. Një ecuri e tillë për zikaltërit nuk kishte ndodhur që prej vitit 2004, atëherë kur drejtoheshin nga Roberto Mançini.

Në këtë mënyrë, ndonëse ka një ndeshje më tepër për të rikuperuar, Interi tanimë nuk e ka më në dorë fatin e titullit kampion. Zikaltërit ndodhen në vendin e 3-të në klasifikim në kuotën e 59 pikëve, 4 më pak sesa Milani kryesues.

Sigurisht që kjo situatë nuk mund t’i pëlqejë aspak trajnerit Simone Inzaghi, i cili pas ndeshjes me Torinon, në konferencën për mediat deklaroi se sjellja e skuadrës në fushë, duhet të ishte më agresive, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të fituar titullin kampion, të cilin ai e sheh mëse të mundur edhe me 10 javë të mbetura deri në fund për të tijtë.

Ndërkohë, ndeshja e radhës për Interin është ajo ndaj Fiorentinës në shtëpi. Një kundërshtar aspak i lehtë për kampionët në fuqi të Italisë, por këtë herë fitorja është detyrim për ta, ose në të kundërt, mund të përshëndeten me titullin.