Interi mëson periudhën se sa do të mungojë sulmuesi Marko Arnautoviç. Sulmuesi zikaltër do të jetë jashtë fushave të lojës, për një periudhë dy mujore. Në fund të ndeshjes me Empolin, austriaku pësoi një tërheqje muskulore dhe që në atë moment shenjat u dukën jo të mira, diçka që e konfirmoi edhe trajneri Simone Inzaghi pas përfundimit të takimit.
Sikurse ka bërë të ditur vetë klubi zikaltër me anë të një postimi në kanalin zyrtar, të Hënën në mëngjes, Arnautoviç ka kryer teste të detajuara dhe në fund është arritur në përfundimin se në kofshën e majtë, Arnautoviç, ka pësuar një tërheqje muskulore të nivelit mesatar.
Kjo do të thotë se situata mund të ishte edhe më e ndërlikuar se kaq, e kësisoj, sulmuesi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Inzaghi, për të paktën 8 javë.
Duke marra parasysh kalendarin e ngjeshur, tekniku zikaltër, tanimë duhet t’i bëjë llogaritë pa një sulmues më pak, e duke pasur në dispozicion, vetëm Lautaro Martinez, Marcus Thuram dhe Alexis Sanchez. Por Inzaghi mund të shohë edhe më thellë se kaq. Henrikh Mkhitaryan, apo edhe Davy Klaassen, janë elementë që mund të përshtaten edhe më lart sesa mesfusha, teksa bordi i klubit, e ka bërë të qartë se edhe nëse rikuperimit i Arnautoviç nuk do të shkojë sipas planit, ndërhyrje në merkaton e Janarit nuk do të ketë, të paktën me kushtet e deritanishme.
Po ashtu, edhe akadamia e Interit, është një alternativë për trajnerin Simone Inzaghi, duke u dhënë një mundësi të rinjve të klubit.