Përpara ndeshjes së ardhshme në kampionat, atë ndaj Udineses në San Siro, e vlefshme për javën e 15, Interi është në emergjencë për mbrojtjen. Në takimin ndaj Napolit, të fituar 3-0, zikaltërit u larguan edhe me shije të hidhur nga stadiumi Maradona, duke qenë se De Vrij dhe Dumfries pësuan probleme fizike. De Vrij pësoi një tërheqje muskulore, kurse nga një duel fizik u ndal edhe hollandezi tjetër.
Thënë këtë, për dy futbollistët në fjalë, pritet ende një përgjigje më e detajuar e analizave, për të mësuar edhe shkallën e dëmtimit të tyre dhe sa kohë do t’u duhet për t’u rikuperuar plotësisht, por shihet shumë e vështirë që ata të jenë gati për ndeshjen e radhës. I vetmi që ka pak më tepër shpresë, është Dumfries, për të cilin, në ambientin zikaltër, besojnë se do të riaftësohet shpejt.
Kjo është një ngjarje që mund të shqetësojë tej mase trajnerin Simone Inzaghi, i cili i ka dhënë edhe një ditë pushim skuadrës, për të rikuperuar energji. Mirëpo, sikurse shkruajnë mediat përtej detit, në ambientin stërvitor të Interit janë paraqitur dy mbrojtës të tjerë, Alessandro Bastoni dhe Benjamin Pavard, të cilët janë duke e lënë pas dëmtimin dhe po numërojnë ditët për t’u rikthyer sërish në fushën e lojës.
Të dy lojtarët në fjalë, janë duke punuar individualisht dhe shpresohet shumë se njëri prej tyre do të jetë gati për takimin ndaj Udineses dhe fjala është pikërisht për Bastonin. I dëmtuar përgjatë grumbullimit me kombëtaren, pësoi një lëndim në pulpë dhe mundësitë janë mjaft të mëdha që gjatë kësaj jave, italiani do të nisë të stërvitet rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës. Ndërsa Pavard, që vuan nga një lëndim në gju, ka nevojë për të paktën edhe dy javë të tjera që të jetë gati fizikisht dhe të zbresë sërish në fushën e lojës.
Në këtë pikëpamje, të vetmit mbrojtës që Inzaghi mund t’i llogarisë së të sigurt për ndeshjen ndaj Udineses, janë Carlos Augusto, Bisseck dhe Cuadraro.