Befas, Interi është shndërruar në një fortesë. Që pas15 shtatori i humbjes me Parmën duket se gjithcka ka ndryshuar. Jo vetëm 9 fitore të fiksuara – 7 prej të cilave radhazi -, dhe 1 humbje si ajo e me Barcelonën në Kamp Nou, por edhe shifra të tjera që tregojnë formën gati perfekte të skuadrës së Spaletit. Nga ato që mund të bëjnë të buzëqeshin tifozët, duke hedhur vështrimin nga e ardhmja. Bëhet fjalë për statistika për t’u pasur zili, mes të cilave dallojnë mbi të gjitha treguesit e mbrojtjes. Çifti Skriniar-De Vrij, pa harruar alternimin me Mirandën, po funksionon më së miri. Zikaltërit kanë pësuar deri tani vetëm 6 gola në kampionat, më mirë se të gjitha skuadrat italiane. E jo vetëm… Gati edhe më mirë sesa të gjitha ato të katër kampionateve më të fortë të Evropës, me përjashtim të Atletikos së Madridit, që ndan këtë rekord me milanezët.
Për të mos thënë pastaj që kjo skuadër zikaltër pëson edhe më pak sesa ajo e tripletës së vitit 2010. Duket se afrimet e merkatos me emra si De Vrij, Asamoah e Vrsajlko i kanë dhuruar skuadrës një soliditet të ri. Atë që kishte edhe në pjesën e parë të vitit të kaluar, por që shfaqte dobësi sa I takon shërnimit të golave. Mirëpo ndryshe nga sa ndodhte më parë, Interi ka bashkuar efikasitetin e mbrojtjes, me atë të fazës sulmuese, ku nuk është më plotësisht i varur nga Icardi. Djemtë e Spaletit janë aktualisht sulmi i tretë më i mirë i Serisë A, me 21 gola, prapa Juventusit e Napolit që kanë nga 24. Kuota është rritur sidomos në dy javët e fundit, kur kanë realizuar plot 8 herë. Bëhet fjalë për statisitika të fiksuara brenda kufinjve italianë. Por që nëse do të respektohen edhe sonte në arenën e Champions League, atëherë mund të shpresohet shumë…