Interi kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë

Sport

Interi kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Në çerekfinale, zikaltërit mposhtën në shtëpi skuadrën e Lazios, me rezultatin 2-0, me golat e shënuar nga Marco Arnautoviç dhe Hakan Çalhanoglu.

Kjo ishte gjysmëfinalja e 30 në histori nga skuadra e Interit në Kupën e Italisë dhe në këtë drejtim, vetëm Juventusi ka bërë më mirë, me 36 gjysmëfinale.

Pavarësisht se të kaltërit nga kryeqyteti, u përpoqën më tepër në fushë, duke ndërtuar 13 mundësi shënimi në total, kjo sërish nuk mjaftoi përballë ekipit të Simone Inzaghit, që shfrytëzoi në maksimum mundësitë e paraqitura. Në vetëm 2 gjuajtje në portë, Interi arriti të shënonte 2 gola.

Në 4 më të mirat e kompeticionit, zikaltërit do të ndeshen me rivalët e tyre historikë, Milanin. Dueli i parë do të zhvillohet në 2 Prill, kurse ai i kthimit në 23 Prill. Deri në këtë fazë, zikaltërit dhe kuqezinjtë janë ndeshur 3 herë mes tyre, dy në Serie A dhe një herë tjetër në Superkupë.

Ndonëse në letër, Interi është kuotuar më favoritë ndaj Milanit, të paktën këtë edicion, e vërteta është se në përballjet direkte, janë kuqezinjtë ata që kanë dalë triumfues në 2 rastet e para, kurse takimi i fundit u mbyll në barazim.

Megjithatë, duke qenë se gjysmëfinalet e Kupës do të luhen në Prill, duhet thënë se përgjatë kësaj kohe, të dyja ekipet, kanë ndeshje të rëndësishme për të luajtur, çka mund të rezultojnë vendimtare për ecurinë e sezonit, e pse kjo edhe atij të ardhshëm. Interi është në garë në Serie A dhe në Champions League, kurse Milani vetëm në kampionat.